Fondet e investimeve do të lejohen të japin kredi, zbatimi i ligjit të ri nga janari 2028
Fondet e investimeve alternative në Shqipëri do të mund të financojnë bizneset përmes huadhënies, sipas një projektligji të ri që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028.

Reforma parashikon licencim nga AMF-ja, kufizime për kreditimin dhe masa të posaçme për mbrojtjen e investitorëve.
Tregu shqiptar i fondeve të investimit pritet t'i nënshtrohet një reforme të rëndësishme ligjore, e cila do të krijojë një regjim të posaçëm për fondet e investimeve alternative. Këtyre fondeve do t'u jepet mundësia të financojnë edhe biznese përmes huadhënies, por me kufizime të përcaktuara për rrezikun, përqendrimin e kredive dhe përdorimin e levës financiare.
Projektligji “Për administruesit e fondeve të investimeve alternative dhe fondet e investimeve alternative”, i publikuar për konsultim publik, parashikon që administruesit e këtyre fondeve të mund të ushtrojnë veprimtari huadhënieje pas licencimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe marrjes së opinionit paraprak të Bankës së Shqipërisë.
Ky ndryshim krijon një mundësi të re për financimin e ekonomisë, duke zgjeruar burimet e kapitalit përtej kreditimit tradicional bankar. Megjithatë, fondet alternative që do të japin hua do të duhet të respektojnë kërkesa të posaçme, ndërsa fondet që u ofrohen investitorëve joprofesionistë nuk do të lejohen të ushtrojnë veprimtari huadhënieje.
Ligji i ri parashikohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2028, ndërsa subjektet ekzistuese do të kenë një periudhë kalimtare për t'u përshtatur me kërkesat e reja.
Fondet alternative do të mund të japin kredi, por me kufizime
Një nga risitë kryesore është rregullimi i veprimtarisë së huadhënies nga fondet e investimeve alternative.
Sipas projektligjit, një fond mund të konsiderohet fond iniciues i huadhënies kur strategjia e tij kryesore është dhënia e huave ose kur huatë e dhëna përfaqësojnë të paktën 50 për qind të vlerës neto të aktiveve.
Për këto fonde, ligji përcakton kufizime të veçanta. Kur huamarrësi është institucion financiar, fond tjetër alternativ ose sipërmarrje investimi kolektiv në tituj të transferueshëm, ekspozimi ndaj një huamarrësi të vetëm nuk mund të tejkalojë 20 për qind të kapitalit të fondit.
Ndërkohë, përdorimi i levës financiare, që nënkupton rritjen e ekspozimit përmes huamarrjes ose instrumenteve të tjera financiare, kufizohet në 175 për qind për fondet me pjesëmarrje të hapur dhe 300 për qind për fondet me pjesëmarrje të mbyllur.
Projektligji parashikon gjithashtu që fondi të mbajë 5 për qind të vlerës nominale të çdo huaje që ka dhënë dhe më pas ua ka transferuar palëve të treta, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara.
Kjo masë synon të shmangë situatat kur fondet japin kredi dhe më pas transferojnë të gjithë rrezikun te investitorë të tjerë.
Vendosen edhe kufizime për huadhënien ndaj administruesit, depozitarit dhe subjekteve të lidhura, me qëllim parandalimin e konflikteve të interesit. Përjashtime të caktuara parashikohen për huatë aksionare, të cilat lidhen me financimin e shoqërive ku fondi zotëron pjesëmarrje në kapital.
AMF licencon fondet huadhënëse, Banka e Shqipërisë jep opinionin
Veprimtaria e huadhënies do të jetë objekt i një procedure të posaçme mbikëqyrjeje.
Administruesi do të paraqesë kërkesën për licencim pranë AMF-së, e cila do t'ia përcjellë Bankës së Shqipërisë dokumentacionin për komponentin e kreditimit brenda pesë ditëve pune.
Banka e Shqipërisë do të ketë 60 ditë kohë për të vlerësuar politikat e kreditimit, procedurat e vlerësimit të aftësisë paguese të huamarrësve dhe administrimin e rrezikut të kredisë.
Pas shqyrtimit, banka qendrore do t'i përcjellë AMF-së opinionin e arsyetuar, ndërsa vendimi përfundimtar për licencimin do t'i takojë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Një element i rëndësishëm është se administruesi që merr licencën për huadhënien për llogari të fondit nuk do të ketë nevojë për licencim të veçantë si subjekt financiar jobankë.
Kjo krijon një model të ri të financimit të ekonomisë, ku fondet e investimeve alternative mund të shërbejnë si burim kapitali për sipërmarrjet, nën mbikëqyrjen e AMF-së dhe me përfshirjen e Bankës së Shqipërisë në vlerësimin e rrezikut të kreditimit.
Kapital minimal nga 125 mijë deri në 300 mijë euro
Projektligji vendos kërkesa të posaçme për kapitalin e administruesve të fondeve alternative.
Për shoqëritë që administrojnë fonde të investimeve alternative, kapitali fillestar minimal duhet të jetë kundërvlera në lekë e 125 mijë eurove.
Për fondet që administrohen nga vetë struktura e tyre, pa një shoqëri administruese të jashtme, kapitali fillestar minimal duhet të jetë 300 mijë euro.
Në rastet kur vlera e portofoleve të administruara tejkalon 250 milionë euro, administruesi duhet të mbajë fonde të veta shtesë në masën 0.02 për qind të shumës që tejkalon këtë prag.
Kërkesa për kapitalin fillestar dhe fondet shtesë përkatëse kufizohet në 10 milionë euro, ndërsa zbatohen veçmas edhe kërkesat për mbulimin e shpenzimeve fikse dhe përgjegjësisë profesionale.
Administruesit do të duhet gjithashtu të kenë struktura të përshtatshme organizative, sisteme kontrolli të brendshëm dhe të paktën dy persona që drejtojnë efektivisht veprimtarinë me angazhim të plotë.
Regjim i thjeshtuar për fondet deri në 100 dhe 500 milionë euro
Projektligji parashikon trajtim më të lehtësuar për administruesit me vëllime më të vogla aktivesh.
Regjimi i thjeshtuar i regjistrimit do të zbatohet për administruesit që kanë aktive nën administrim deri në 100 milionë euro, duke përfshirë edhe aktivet e përfituara përmes levës financiare.
Ky prag rritet në 500 milionë euro kur fondet nuk përdorin levë financiare dhe nuk u japin investitorëve të drejtën e shlyerjes së investimit për të paktën pesë vjet.
Administruesit që përfshihen në këtë regjim do të regjistrohen pranë AMF-së dhe do të kenë detyrime për raportimin e veprimtarisë dhe rreziqeve.
Megjithatë, regjimi i thjeshtuar nuk do të zbatohet për administruesit e fondeve që u ofrohen investitorëve joprofesionistë. Këta administrues do të duhet të licencohen plotësisht, pavarësisht madhësisë së portofolit.
Nëse një administrues tejkalon pragjet e regjimit të thjeshtuar, ai duhet të paraqesë kërkesë për licencim të plotë brenda 30 ditëve kalendarike.
Mbrojtje më e fortë për qytetarët që investojnë në fonde
Projektligji krijon një regjim të posaçëm për fondet që u ofrohen investitorëve joprofesionistë, kategori ku përfshihen edhe qytetarët që investojnë kursimet e tyre pa pasur statusin e investitorit profesionist.
Këto fonde do të duhet të licencohen nga AMF-ja dhe të respektojnë kërkesa më të forta për përbërjen e portofolit, shpërndarjen e rrezikut, likuiditetin, administrimin dhe transparencën.
Për fondet me pjesëmarrje të hapur që u ofrohen investitorëve joprofesionistë, huamarrja do të kufizohet në 10 për qind të vlerës së fondit.
Gjithashtu, këtyre fondeve do t'u ndalohet dhënia e huave dhe veprimi si dorëzanës për palë të treta.
Kjo ndarje synon të lejojë zhvillimin e produkteve më komplekse të investimit për investitorët profesionistë, duke ruajtur një nivel më të lartë mbrojtjeje për kursimtarët individualë.
Kontrolle më të forta për likuiditetin dhe transparencën
Projektligji forcon kërkesat për administrimin e likuiditetit, veçanërisht për fondet që u japin investitorëve mundësinë të tërheqin kapitalin.
Administruesit do të duhet të përdorin instrumente të posaçme për përballimin e kërkesave për shlyerje, përfshirë mekanizma për kufizimin ose pezullimin e përkohshëm të shlyerjeve në rrethana të përcaktuara.
Parashikohen gjithashtu prova rezistence dhe raportim më i detajuar për rreziqet, ekspozimet dhe përdorimin e levës financiare.
Administruesit do të duhet të përgatisin raportin vjetor të çdo fondi brenda gjashtë muajve nga përfundimi i vitit financiar.
Raporti do të përfshijë pasqyrat financiare të audituara, veprimtarinë e fondit dhe informacion mbi rreziqet, ndërsa investitorët do të kenë të drejtë të marrin informacion për kostot dhe kushtet e investimit.
Ndryshon mënyra e klasifikimit të fondeve ekzistuese
Një tjetër element i rëndësishëm i reformës është ndarja e kuadrit aktual të investimeve kolektive në dy regjime të veçanta.
Aktualisht, ligji nr. 56/2020 rregullon në një kuadër të përbashkët kategori të ndryshme fondesh investimi.
Me reformën e propozuar, fondet do të klasifikohen sipas regjimit për sipërmarrjet e investimeve kolektive në tituj të transferueshëm, të njohura si SIKTT, ose sipas regjimit të fondeve të investimeve alternative.
Për fondet ekzistuese, AMF-ja do të kryejë një proces riklasifikimi, duke shqyrtuar karakteristikat e portofolit, politikën e investimit dhe kategoritë e investitorëve.
Kjo ka rëndësi të veçantë për tregun shqiptar, ku fondet e investimeve kanë ekspozim të konsiderueshëm ndaj titujve të borxhit të qeverisë.
Sipas relacionit, procesi do të organizohet në mënyrë që të shmangen shitjet e detyruara të titujve qeveritarë, të cilat mund të krijonin presion mbi tregun financiar.
Riklasifikimi nuk do të konsiderohet rilicencim dhe nuk do të ndërpresë automatikisht veprimtarinë e fondeve ekzistuese.
Gjobat deri në 10 për qind të të ardhurave vjetore
Projektligji parashikon forcimin e kompetencave mbikëqyrëse të AMF-së, përfshirë mundësinë e kufizimit të veprimtarisë, pezullimit të licencës, vendosjes së administrimit të përkohshëm dhe revokimit të licencës.
Për shkeljet e rënda të administruesve dhe depozitarëve, gjobat mund të variojnë nga 2 milionë lekë deri në 10 për qind të të ardhurave vjetore.
Për personat fizikë përgjegjës parashikohen gjoba deri në 2 milionë lekë.
Administrimi i përkohshëm mund të vendoset edhe në rastet kur administruesi rrezikon të kalojë në paaftësi paguese brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






k.jpg)